Po rinovohet ndërtesa e Ndihmës së Shpejtë, shërbimet përkohësishtë në objekte të tjera, Miftari: Punimet pritet të përfundojnë në fund të shkurtit
Për shkak të rikonstruksionit të godinës në të cilën janë të vendosura Ndihma Emergjente, Vizita në Shtëpi dhe Kujdesi Urgjent Dentar, shërbimet janë zhvendosur në objekte të tjera.
Kjo ka sjell konfuzion tek pacientët, të cilët nuk e dinë se ku të kërkojnë kujdes shëndetësor në orët e natës, gjatë festave dhe gjatë fundjavëve, shkruan “Kumanovonews”, transmeton Open-TV.
“Vizita shtëpiake dhe ambulanca e natës janë dislokuar në oborrin e Spitalit të përgjithshëm të Kumanovës, përballë repartit të neuropsikiatrisë. Shërbimi i emergjencës është zhvendosur përkohësisht në të ashtuquajturën Shtëpia e Shëndetit – Kumanovë. Ndihma e Shpejtë përkohësishtë është transferuar në katin e dytë, ndërsa ndihma urgjente dentare në Infermierinë e ambulancës shkollore. Por deri në fund të shkurtit pritet që të përfundojnë të gjitha punët ndërtimore dhe rindërtuese dhe shërbimet të kthehen në ambientet e tyre”, thotë Valdrim Miftari, nga Shtëpia e Shëndetit të Kumanovës.
Rikonstruksioni i godinës ka nisur në gjysmën e dytë të tetorit dhe autoritetet thonë se kanë njoftuar qytetarët me një njoftim në dyert e godinës, si dhe përmes rrjeteve sociale dhe mediave.